Të shtunën Greqia hap plazhet, këto janë rregullat e reja

Plazhet e organizuara në Greqi do të rihapen të shtunën, më 16 maj, njoftuan autoritetet, pas të dhënave për COVID-19 dhe atyre meteorologjike, duke përfshirë dhe rekomandimin e Komitetit të Sëmundjeve Infektive në Ministrinë greke të Shëndetësisë.

Bizneset në plazhe, që marrin çadra dielli dhe shezlonë me qira, do të hapen të shtunën nga ora 08:00, por nën disa kufizime.

Këtu përfshihet regjistrimi e numrit të pushuesve të pranishëm, maksimumi 40 persona për 1 000 metra katrorë, distancë prej katër merash ndërmjet çadrave dhe kufizime në numrin e shezlonëve për çadër, dy të tillë, përveç familjeve me fëmjë.

Pushuesit do të jenë të detyruar të shtrihen mbi peshqirë.

Bizneset do të shesin vetëm produkte të paketuara, ndërsa stendat e pijeve freskuese, kafenetë dhe biznese të ngjashme, do të funksionojnë duke e përgatitur pijen për ta marrë me vete.

Shitja e pijeve alkoolike është e ndaluar dhe nuk do të lejohet shpërndarja e tyre në këtë zonë.

Konsumatorët duhet të mbajnë një distancë prej 1,5 metrash nga njëri tjetri gjatë porositjes për ushqim ose pije.

Gjithashtu janë të ndaluara të gjitha sportet e kontaktit në grup.

Shpjegimi i policisë

Policia Greke (ELAS), sqaroi se patrullimi në rritje nuk do të thotë monitorim i publikut mbi kufizimet e koronavirusit.

Duke iu përgjigjur akuzave se policia do të monitorojë plazhet dhe sheshet gjatë fundjavës, zëdhënësi i ELAS, Theodoros Chronopoulos theksoi se prania e policisë lidhet vetëm me parandalimin dhe luftën e krimit, ndërsa respektimi i kufizimeve është përgjegjësi e publikut.

“Bashkatdhetarët tanë janë sjellë në një mënyrë model dhe policia greke nuk po kontrollon aktivitetet e qytetarëve. Qoftë në sheshe apo plazhe, përgjegjësia e vetme e policisë është të parandalojë dhe luftojë krimin. Në lidhje me COVID-19, ajo bashkëpunon dhe vepron në mënyrë mbështetëse dhe këshilluese, kurdo që të jetë e nevojshme”, shtoi ai.