Si e ndihmoi kafja bërjen e Revolucionit Amerikan

Peizazhi i sotëm politik i Amerikës mund të jetë një vend konfuz dhe goxha i frikshëm. Idetë e Etërve Themelues citohen rëndom si bazat e kombit. Deklarata e Pavarësisë  dhe Kushtetuta shihen si dokumente të patëmeta, mbi të cilat bazohet jeta amerikane. Liria e demokracia janë gurëthemelet e ideve politike e shoqërore të Shteteve të Bashkuara.

Njëkohësisht, ngritja e valës islamofobe po bën të ndihet prania e saj. Politikanët mbështesin karakterizimin e jetës islamike si të papërshtatshme me shoqërinë amerikane. “Ekspertët” e mediave përulin ndikimin e supozuar që muslimanët po kanë në shkatërrimin e bazave të ideve politike e shoqërore të Amerikës.

Pjesa vërtet ironike në gjithë këtë është se muslimanët, në fakt, ndihmuan në formulimin e ideve mbi të cilat janë ngritur Shtetet e Bashkuara. Ndërsa ky artikull nuk do të argumentojë që Islami dhe muslimanët janë i vetmi shkak për Revolucionin Amerikan, ndikimin që patën muslimanët në vendosjen e Amerikës është i qartë dhe nuk duhet të anashkalohet.

Filozofia islamike dhe Iluminizmi

Idetë politike dhe shoqërore që i bënë kolonët amerikanë të revoltoheshin kundër Perandorisë Britanike qenë formuluar në një lëvizje të njohur si Iluminizmi. Iluminizmi ishte një lëvizje intelektuale, e cila argumentonte që shkenca dhe arsyeja duhet të jenë baza e shoqërisë njerëzore, jo pasimi verbazi i mbretërve dhe i autoritetit kishtar. Në 4 korrik 1776, në Filadelfia, revolucionaret amerikanë nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, një dokument i shkruar nga Thomas Jefferson dhe i ndikuar thellësisht nga Iluminizmi, i cili e zyrtarizoi ndarjen nga Britania e madhe dhe vendosjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Iluminizmi u nxit nga një grup filozofësh e shkencëtarësh evropianë, të cilët po kundërshtonin idetë mbizotëruese të qeverisjes në Evropë asokohe. Mes këtyre mendimtarëve ishin njerëzit si: Xhon Loki, Rene Dekart, Isak Njuton, dhe Monteskije.

Xhon Loki (John Locke)

Xhon Loki, një anglez i cili jetoi nga viti 1632 deri 1704, promovoi disa nga idetë më ndikuese të Iluminizmit. Ai ishte pionier i idesë që njerëzit nga natyra janë të mirë, por prishen nga shoqëria apo qeveria. Loki e përshkroi këtë ide në “An Essay Concerning Human Understanding” si Tabula Rasa, një frazë latine që do të thotë rrasë e zbrazët. Mirëpo, ideja nuk ishte e tij. Në fakt, Loki drejtpërsëdrejti mori idenë nga një filozof musliman nga vitet 1100, Ibn Tufeil. Në librin e Ibn Tufeil “Hejj Ibn Jekdhan”, ai përshkruan një ide identike rreth asaj sesi njeriu sillet si një rrasë e zbrazët, duke përthithur përvoja dhe informata nga rrethi.

Xhon Loki huazoi shumë ide të Iluminizmit të tij nga filozofi musliman Ibn Tufeil. Ideja e njëjtë shfaqet në jetën e pejgamberit Muhamed, i cili tha:

“Çdo fëmijë lind në fitrah”.

Fitrah këtu mund të përkufizohet si gjendje e natyrshme, e pastër e njeriut. Sipas qëndrimit islamik, të gjithë njerëzit lindin në një gjendje të pastër dhe me besim në një Zot, ndërsa, me kalimin e kohës, ata adoptojnë ide dhe besime nga njerëzit përreth, sidomos nga prindërit. Ky është një pararendës intelektual i “tabula rasa-s” që Loki e mësoi nga Ibn Tufeil.

Nëpërmjet Lokit, ky koncept do të ndikonte idenë politike që njerëzit nuk duhet të shtrëngohen nga një qeveri shtypëse dhe jotolerante. Idetë e tij, që ai i huazoi nga Ibn Tufeil, do të përfundonin në formimin e gurëthemelit të ideve revolucionare të Amerikës se kolonët do ta kishin shumë më mirë, sikur të mos ishin nën Qeverinë shtypëse të Britanisë. Loki u zgjerua më tej në këtë temë duke përshkruar diçka që ai e quante Marrëveshja Shoqërore. Në këtë marrëveshje, njerëzit do të duhej të pajtoheshin të sundohen nga një qeveri e cila, sipas radhës, pajtohet t’i mbrojë të drejtat e natyrshme të qytetarëve të saj.

Po ky koncept shihet në vitin 1337 në “Mukaddimeh” të historianit dhe sociologut të famshëm musliman Ibn Khaldun. Në të, ai thotë: “Shoqëruesit e sundimit të mirë janë butësia dhe mbrojtja e të nënshtruarve. Domethënia e vërtetë e autoritetit mbretëror realizohet atëherë kur një sundues i mbron të nënshtruarit e tij”. Këtu Ibn Khaldun shpjegon një nga idetë kryesore politike të Iluminizmit, nja 300 vite para se Loki të propozonte argumentin e njëjtë: që një qeveri duhet të mbrojë, jo të shkelë të drejtat e qytetarëve të saj. Më vonë, në vitin 1776, preambula e Deklaratës së Pavarësisë thoshte një argument të ngjashëm: “Qeveritë janë vendosur midis njerëzve duke nxjerrë fuqitë e tyre nga pajtimi i të qeverisurve”.

Xhon Loki, po ashtu, ishte pionier i të drejtave natyrale: ideja që të gjithë njerëzit kanë të drejta të dhëna nga Zoti të cilat s’bën t’u merren nga asnjë qeveri. Në Deklaratën e Pavarësisë, kjo thuhet se: “ … atyre (njerëzve) u janë dhuruar nga Krijuesi të drejta të caktuara të pamohueshme, mes syresh: jeta, liria, dhe kërkimi i lumturisë”.

Ndërsa shumica e teksteve amerikane dhe evropiane promovojnë këtë si një ide “unike” perëndimore, e vërteta është se kjo është shumë më e vjetër sesa Xhon Loki dhe Tomas Xheferson. Prapë në “Mukaddimeh” Ibn Khaldun shpjegon: “Ata që shkelin pronën, bëjnë një padrejtësi. Ata që ua mohojnë të drejtat njerëzve, bëjnë një padrejtësi”. Ai vazhdon të shpjegojë që kjo çon në shkatërrimin e një shteti, dhe citon shembuj nga jeta e pejgamberit Muhamed, ku ai ndalon nga padrejtësitë. Konceptet që një qeveri muslimane s’duhet të shkelë të drejtat ishte mjaft i qartë në ligjin islamik dhe ishte një ide e pranuar gjithandej perandorive muslimane.

Filozofët e tjerë

Filozofët e tjerë të Iluminizmit u ndikuan thellësisht nga muslimanët e hershëm dhe nga idetë islamike. Pa u futur në detaje tjera, këto në vijim janë disa nga shembujt:

Isak Njuton (Isaac Newton) u ndikua shumë nga Ibn el-Hejthem, një shkencëtar musliman i cili i priu metodës shkencore, optikës, dhe ligjit të lëvizjes. Në Evropë, Ibn el-Hejthem ishte i mirënjohur, ashtu siç ishin dhe idetë e tij rreth shkencës dhe filozofisë. Isak Njuton huazoi nga Ibn el-Hejthem idenë e ligjeve të natyrshme që mundësojnë lëvizjen e universit. Filozofët e vonë të Iluminizmit e shfrytëzuan këtë ide për të mbështetur konceptin e të drejtave të natyrshme, rolin e qeverisë, dhe sistemit ekonomik. Krejt këto ide ndikuan Etërit Themelues të Amerikës, të cilët i cituan ata si baza të Shteteve të Bashkuara.

Monteskje (Montesquieu), zakonisht, citohet si i pari që propozoi idetë e ndarjes së qeverisë në disa degë. Gjatë kohës së tij në Evropë, monarkët kishin pushtet absolut dhe nuk ndanin kontrollin e shtetit me askënd. Bota muslimane asnjëherë nuk ka funksionuar kësisoj. Ndërsa kalifët në perandoritë Umejede dhe Abaside mbanin shumicën e pushtetit, ekzistonte edhe ideja e Shuras, që ishte një këshill puna e të cilit ishte të këshillonte kalifin. Në këto qeveri, po ashtu, ekzistonin ministrat që zbatonin detyrat nën mbikëqyrjen e monarkut. Ndoshta, më të rëndësishmit ishin Kaditë apo gjyqtarët, të cilët përbënin një sistem ligjor të bazuar në ligjin islamik dhe ishin të pavarur nga sundimi i kalifit. Një shembull për atë se si janë përpiluar të veprojnë qeveritë islamike nëpërmjet një burokracie është libri “Rregullat e qeverisjes” (el-Ahkam el-Sultanijjeh) e Imam el-Mewerdi, e shkruar në pjesën e hershme të viteve 1000. Në të, el-Mewerdi shpjegon si duhet të kryejnë rolet e tyre kalifi dhe zyrtarët e qeverisë përbrenda sferave të tyre personale ndërsa qëndrojnë përbrenda kornizës së ligjit islamik.

Ky sistem i qeverisjes ishte i mirënjohur në Evropë nga shtetet muslimane të Evropës si Spanja dhe Sicilia, për ku udhëtuan shumë evropianë të krishterë për të studiuar nën dijetarët muslimanë. Puna e el-Mewerdid u përkthye në latinisht dhe u shpërnda nëpër tërë Evropën, ku ai ishte i njohur si Alboacen, një deformim latin i emrit të tij.

Kafja

Krejt idetë filozofike tashme të përmendura s’do të kishin shumë ndikim , sikur të mos ishte pija interesante e zezë, që doli nga bota muslimane – kafja.

Gjatë mesjetës, në Evropë pija e përzgjedhur ishte alkooli. Në Francë dhe zona tjera ku kultivohej rrushi, vera ishte pija dominuese, ndërsa birra ishte e popullarizuar më tej në veri. Pirja e ujit ishte e rrallë, pasi besohej që pijet alkoolike ishin më të pastra dhe që ngopnin më shumë. Rezultat i këtij besimi ishte dehja e vazhdueshme e popullatës evropiane.

Në Jemen, mes viteve 1400, një pije e re që u bë nga kokrrat e kafesë nisi të bëhej goxha e popullarizuar. Jemenasit e piqnin e pastaj i zienin kokrrat e kafesë në ujë për të prodhuar një pije që ishte e pasur me kafeinë, një simulant që e bën trupin me më shumë energji dhe trurin të mendojë më qartë. Gjatë periudhës 1400 – 1500, kafja u përhap gjithandej botës muslimane, ndërsa kafenetë nisën të mbinin në qytetet e mëdha. Këto kafene u bënë qendra të shoqërisë urbane, meqë njerëzit takoheshin aty për t’u shoqëruar dhe kënaqur në shoqërimin e të tjerëve.

Nga vitet 1600, këto kafene u përhapën në Evropë, po ashtu. Ndonëse fillimisht pati rezistencë ndaj një “pijeje muslimane” në Evropën e krishtere, pija u ngjit. Kafenetë u bënë aspekti qendror i Iluminizmit, sidomos në Francë. Kurse më herët evropianët pinin alkool rregullisht, tash takoheshin në kafene, ku diskutonin filozofinë, qeverisjen, politikën, dhe ide tjera që ishin gurëthemel të Iluminizmit. Filozofët e Iluminizmit francez si Diderot, Voltaire, dhe Rousseau ishin myshterinj të rregullt të kafeneve në Paris.

Po të mos ishte kjo pije nga tokat muslimane, Evropa mund të mos e kishte arritur asnjëherë Iluminizmin, meqë filozofët kurrë s’do të takoheshin për të diskutuar idetë dhe as që do të kishin qartësinë mendore (për shkak të konsumimit të alkoolit) për të menduar në mënyrë filozofike.

Si çoi e tërë kjo në revolucion?

Siç u tha më herët, Revolucioni Amerikan ishte një ndikim i drejtpërdrejtë i Iluminizmit evropian. Teoritë e të drejtave, të qeverisjes, dhe të vetës njerëzore që ishin baza të Iluminizmit morën formën e tyre në vitet 1700 nga mendjet e mëdha si Loki, Njuton, dhe Monteskije. Ata, ndërkaq, i huazuan idetë e tyre nga filozofët e mëhershëm muslimanë si Ibn Tufeil e Ibn Khaldun. Po të mos ishte për idetë e tyre të cilat kishin rrënjët në Islam, Iluminizmi mund të mos kishte qenë aq erudit apo dhe mund të mos kishte ndodhur fare. Veç kësaj, ishte edhe ndikimi që kafja bëri në Evropë duke u ofruara filozofëve një forum për të zgjeruar idetë e tyre dhe për të mësuar të reja.

Pa Iluminizmin, kolonët amerikanë kurrë s’do të kishin mbështetjen intelektuale, e cila iu desh atyre për t’u revoltuar. Idetë e lirisë dhe të drejtave njerëzore mbi të cilat bazohet Amerika janë formuluar nga mendimtarë muslimanë duke përdorur si bazë Kuranin dhe Hadithin (thëniet e pejgamberit Muhamed).

Ndërsa nuk është e saktë të thuhet se vetë muslimanët e shkaktuan Revolucionin Amerikan, kontributi dhe ndikimi i tyre nuk mund të anashkalohet. Ata që pohojnë se idetë islamike janë të papërshtatshme me shoqërinë amerikane, duhet të kujtojnë që, në rend të parë, ishin ato ide islamike që e ndihmuan formimin e lirisë dhe shoqërisë amerikane.