“Koha në karantinë”, Intervistë me Isra Sakipi

RUBRIKA zhvillon intervistën e rradhës me Isra Sakipi

Ajo përpos moderatores që ne e njohim si të tillë nga Televizioni Shtetëror Maqedonas dhe ai i Turqisë, përmban shumë tituj të tjerë profesional në fusha të ndryshme. Ndërsa në këtë intervistë shfaqet si një profesioniste që detyrohet gjitha obligimet t’i kryejë brenda mureve të shtëpisë.

Përshëndetje Isra, si po i kalon këto ditë në muajin e shenjtë të Ramazanit?

• Përshëndetje, ndjehem e bekuar që arrita të pres këtë muaj në mesin e familjes sime, mirëpo po aq e mallëngjyer që nuk mund ta festoj si duhet. Ramazani përpos muajit të agjërimit, është muaji i mëshirës, vëllazërimit, lutjeve të shumëfishta, dhe ombrellë që na mbledh me njëri tjetrin në sofrat plot begati e dashuri. Andaj më vjen shumë keq që çdo iftar e kalojmë vetëm nëpër shtëpitë tona, por lutem që asnjëherë të mos përsëritet kjo gjendje.

Si ka ndikuar te ju në fillim qëndrimi në karantinë?

• Periudha e izolimit për mua ka pasur vetëm anë negative. Më ka lënë shumë prapa me obligimet që kam. Shumë gjëra duhet të përfundonin në fillim të këtij viti dhe gjithçka ka eskaluar. Ndër to mbrojtja e temës së magjistraturës. E kam përpunuar me shumë përkushtim, i kam dhënë kohën dhe mundin e duhur, e tani duhet të pres për ta kompletuar për shkaqe që nuk janë as në dorën time. Duke qenë se une jam në akademi dhe aktive jashtë vendit, kjo po më mundon shumë. Gjithçka në jetë kam kryer me kohë, në kohën e duhur. Ndërsa kësaj rradhe nuk është aspak në dorën time, dhe unë nuk ndjehem e qetë kur nuk kam kontrollë në gjërat që më përkasin mua. Çdo ditë po pres lajme të reja për këtë.

Megjithatë, përsëri ke ndjenjur në shtëpi apo ke shfrytëzuar orën e qarkullimit të lirë?

• Jemi mbrojtur e gjithë familja nga çdo rast që mund të ketë pasoja shëndetësore. Falë Zotit të gjithë jemi mirë. Kemi respektuar të gjitha rregullat dhe ligjet deri më tani. Nuk kam dalë nga shtëpia përpos nevojave ekstreme, dhe nuk ankohem nga kjo gjendje sepse besoj në punën e organeve kompetente për ta përmirësuar situatën në të cilën ndodhemi. Shpresoj të jenë të përgjegjshëm të gjithë qytetarët, përndryshe do të na ngelin edhe shumë të mira në jetë pa i shijuar me kohë.

Si po të shkon dita në izolim?

• Natyrisht se më është prishur rendi i gjumit. Por mundohem ta mbaj në orar të duhur. Tërë kohën e shfrytëzoj duke punuar diçka për obligimet profesionale që kam. Lexova literaturë të re, dhe përgadita materiale për botime. Po vazhdoj me hulutime shkencore. Kështu po e mbaj veten në nivel. Të lexuarit bëhet edhe në shtëpi, madje ulesh edhe shkruan, por ka gjëra që thjesht nuk shkojnë me ambientin shtëpiak. Ushtroja tërë kohën para karantinës dhe më vjen keq që janë mbyllur palestrat. Por, jam me fat që kam trajnere personale Dijanën (Orkic), ajo më motivon për shëndetin fizik dhe ushtrojmë online. Kështuqë i bëj ushtrimet edhe në shtëpi. Mjafton të duash të bësh diçka, dhe çdo gjë është e mundur. Por, duke i respektuar të gjitha rregullat. Lexoj, shkruaj, ushtroj, kështu e shfrytëzoj energjinë që kam.

Cilat janë planet tuaja pasi të kalojë kjo periudhë?

• Pra fillimisht përfundimi i studimit për magjistraturë, kur bëhet fjalë për një shtet tjetër, materialet që më duhen mund t’i marr vetëm kur jam prezente fizikisht. Prandaj, pres me padurim hapjen e kufive. Uroj që sa më shpejt të kalojë ky rrezik dhe të vazhdoj jetën normale. Më duhet të udhëtoj, dhe kjo është dëshira ime e vetme për momentin. Si njeri shumë i planifikuar që jam, për herë të parë po ndjehem kaq fleksibile në plane. Kështuqë nuk do të potencoj asgjë.

Mesazhi juaj për lexuesit tanë?

• Janë bërë standarde të gjitha fjalët, duhet durim dhe asgjë tjetër. Por unë do të kisha kërkuar atë që e them në çdo intervistë. Besoj në potencialin e të rinjëve tanë. Le të jetë kjo një arsye që ata të lexojnë më shumë dhe të kontribojnë në literaturën tonë. Ne kemi nevojë për t’u pasuruar. I lus të gjithë të marrin iniciativë personale në këtë drejtim. Çdo njeri ka aftësi inovative, prandaj shpresoj t’i shfrytëzojmë në mënyrë produktive dhe të përfitojmë të gjithë nga aftësitë e njëri tjetrit.