“Koha në karantinë”, Intervistë me Besir Zendelin

RUBRIKA zhvillon intervistën e radhës me ish sprotistin dhe përfaqësuesin e Maqedonisë në Atletikë, Besiri tash më është në studime pos diplomike në Ankara

Na tregoni kush është Besiri?

Jam Besiri Zeneli nga Shkupi dhe jam 23 vjeçarë. Ndërmjet viteve 2010 – 2014 kam qenë sportist i rregullt në “Klubin e Atletikës Liria” dhe në vitin 2013 isha edhe pjesë e Përfaqësues së Maqedonisë në Atletikë për grupmoshat U18. Shkollën fillore e kam mbaruar në “Bajram Shabani” në Kondovë, ndërsa atë të mesmen në gjimazin “Zef Lush Marku”. Studimet deri diplomike i kam mbaruar në kryeqytetin e Turqisë në Ankara, më saktësisht në Universitetin e Hacettepes, ku gjatë 5 viteve kam mësuar gjuhën turke dhe kam studiuar për Biologji në Fakultetin e Shkencave Natyrore. Përveç kësaj vazhdimisht jam preokupuar me lexime dhe hulumtime edhe në shkencat tjera si filozofia, sociologjia, letërsia dhe teologjia. Sporti dhe leximi kanë qenë gjithmonë pjesë e pandashme e preokupimit tim për të pasur një jetë më të organizuar dhe më gjithëpërfshirëse. Sportin e kam parë si aktivitet fizik-mekanik, ndërsa leximin si aktivitet intelektual. Dhe çdoherë kam besuar në atë se, të dyja këto aktivitete e plotësojnë njëra tjetrën në atë mënyrë saqë e bëjnë njeriun më të kompletuar dhe më të aftë në rrugëtimin drejt një jete më të dinjitetshme.

Si ka ndikuar tek ju në fillim qëndrimi në karantinë?

Meqë kam pasur një jetë shumë dinamike, në fillim mendoja se karantina do të ndikojë negativisht në dimensionin tim fizik dhe psikologjik. Por nga ana tjetër përmes karantinës e njoha një vetvete tjetër. Kryesisht jam fokusuar në plotësimin e mangësive të mia sa i përket leximeve të librave. Librat të cilat kam pasur në plan t’i lexoj viteve të kaluara, por nuk kam mundur si shkak i angazhimeve të tjera, jam munduar t’i lexoj gjatë qëndrimit në karantinë. Për këtë arsye personalisht jam i kënaqur me qëndrimin në karantinë; sepse përveç leximit të këtyre librave të cilat i kam parë si mangësi te unë, nga ana tjetër mu ofrua mundësia që ta ripërtërij veten në tre dimensione; në dimensionin shpirtëror, fiziologjik dhe intelektual. Rishqyrtimi i raportit tim me mënyrën e organizimit të jetës, me mënyrën e planifikimit të ardhmërisë, me njerëzit tjerë dhe me natyrën, kanë qenë prej meditimeve dhe preokupimeve të mia kryesore gjatë tërë këtij procesi të vetëizolimit. Thënë më shkurt u orvata ta shndërroj vetëizolimin në vetërealizim. Njeriu është i aftë të veprojë gjithëanshmërisht dhe asnjëherë nuk duhet të dorëzohet duke aluduar në humbje. Njeriu çdo gjë në jetë mund ta shndërrojë në mundësi të mirë përmes së cilës mund të përfitojë të mira materiale ose shpirtërore. Sepse natyra e përfitimit/e dobishmërisë është elastike. Dobishmëria nuk ka vetëm një dimension, ose vetëm një burim, por ka disa dimensione dhe burime. Vetëm se mjafton një angazhim më i dendur deduktiv dhe induktiv.

Si e kaloni kohën në karantinë?

Gjatë një muaji të qëndrimit në karantinë kam lexuar 7 libra të fushave të ndryshme; letërsi, shkencë, teologji etj. Kisha pasur dëshirë që titujt e librave t’i shpërndaj edhe me lexuesit e këtij teksti. Titujt e librave janë si mëposhtë :
“Krahët e Thyer” – Halil Gjibran;
“1984” – George Orwell,
“Ferma e Kafshëve” – George Orwell,
“ Teoria e Evolucionit dhe Mekanizmat e saj” – Mert Bakërcë,
“ Kjo është Biologjia’’ – Ernest Majer,
“ I gjalli i biri i të zgjuarit” – Ibn Sina,
“Përtej Dogmës” – Ziauddin Sardar,
Ndërsa nëse më pyesni se cilin libër ua sugjeroj më shumë, padyshim do të kisha thënë “Ferma e Kafshëve” e autorit George Orwell. Është një libër që përmes një alegoria të shkëlqyeshme i përmbledh thuajse të gjitha mozaiqet e keqpërdorimeve të cilat i bëjnë të ardhurit e rinj në pushtet. Një vepër që e shpjegon shumë thjesht dhe qartë mekanizmin se si tradhtohet kauza dhe revolucioni për drejtësi dhe për barazi. Autori pretendon se pushtetbërja (aktrimi) mbetet e njëjtë, ajo që ndryshon janë vetëm pushtetarët (akterët)

Cilat janë planet e juaja pasi të kalojë kjo periudhë?

Tani jam duke i menduar të gjitha alternativat se ku mundem dhe ku është më mirë për mua t’i vazhdoj studimet post diplomike. Por për këtë do të vendos pasi të kaloj periudha e pandemisë dhe pasi gjithçka të stabilizohet siç ishte më parë.

Mezashi juaj për lexuesit tanë?

Dituria është proces i gjatë, jo destinacion. Është rrugëtim intelektual që kërkon preokupim të vazhdueshëm. Megjithatë, gjatë këtij rrugëtimi njeriu nuk duhet ta harrojë asnjëherë kufizueshmërinë e tij. Sa më shumë hapa që hedhen në këtë rrugëtim, aq më shumë shtohen dhe grumbullohen në mendjen e njeriut pyetjet pa përgjigje. Por pyetja është ilaçi i injorancës, andaj, kurrë mos hezitoni të parashtroni pyetje. Çdo përgjigje që gjejmë, është një hap më larg injorancës. Sikurse çdo udhëtim, edhe udhëtimi i diturisë ka nevojë për mjetet paraprake. Nëse keni vendosur ta bëni një udhëtim të këtillë, vendet të cilat më shpesh duhet t’i vizitoni janë: Librat, dijetarët dhe të moshuarit. Në libra do ta gjeni eksperiencën intelektuale të autorëve; te dijetarët do ta gjeni mënyrën dhe urtësinë se si bëhet sa më efikas rrugëtimi i diturisë; ndërsa te të moshuarit do ta gjeni urtësinë e jetës. Për fund, të gjithë ne e dijmë se dituria që qëndron vetëm si tufë informacionesh nuk sjell dobi. Informacionet duhet ta sjellin diturinë, dituria duhet ta sjellë vetëdijen, ndërsa vetëdija qëndrimin. Kalimi nga dituria në veprimtari duhet të jetë synimi i çdo njeriu të virtytshëm. Gjithmonë ku shkoj e parapëlqej shumë moton “ Le të mësojmë për të ditur, jo për diplomë. Diploma është letër, ditura është vepër.”