Jeta dhe vepra e Naum Veqilharxhit

Punim seminarik nga Suhejb Mustafa

HYRJE

Shekulli XIX karakterizohet me trazira ne Ballkan si rrjedhojë e ëndrrës së ballkanasve për krijimin e shteteve të tyre, duke marrë si avantazh dobësimin e P. Osmane. Ky shekull që njihet ndryshe edhe si shekulli i lëvizjeve nacionale përfshiu edhe popullin shqiptar ku nëpërmjet intelektualëve dhe patriotëve të mëdhenj u arrit që të krijohet një strukturë organizuese me propaganda nacionale që u quajt Rilindja Kombëtare Shqiptare. Rilindja ishte një lëvizje e gjerë, që tërhoqi në jetën politike të gjitha forcat shoqërore të popullit shqiptar dhe që kishte rrënjë të thella historike. Ajo u zhvillua në një truall të përgatitur nga kryengritjet popullore, që nuk u ndërprenë gjatë katër shekujve të robërisë osmane dhe që drejtoheshin kundër kësaj robërie. Gjatë këtyre lëvizjeve ishte formuar te shqiptarët ndjenja e kombësisë, e identitetit dhe e individualitetit të tyre të veçantë përballë sundimtarëve të huaj. Programi politik nacional shqiptar që u plasua gjatë shekujve XIX-XX mori hov në tërë territorin shqiptar dhe me mobilizimin e popullit shqiptar, puna e palodhshme e rilindësve u shpagua me formimin e shtetit shqiptar ne v. 1912 në Vlorë.

Një ndër figurat më të shquara të viteve të para të Rilindjes Kombëtare Shqiptare është Naum Veqilharxhi. Hapësira kohore në të cilin Naumi veproi ishte gjysma e parë e shek. XIX. Kjo periudhë konsiderohet shumë e vështirë për popullin shqiptar. Në një situatë të tillë, kur Shqipëria dhe shqiptarët po mësyheshin nga grekët, turqit dhe serbët, nga Patrikana dhe kisha greke, si edhe nga veglat panheleniste dhe panislamiste në Shqipëri, ishte Naum Veqilharxhi i pari që kuptoi se shqiptarët, të ndarë dhe të paditur, rrezikonin të zhdukeshin si komb. Ai çmohet edhe për kontributin e tij të madh në fushën e kulturës, sektor kjo, ndër më kryesorët në hartimin e programit në kuadër të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Andaj me këtë punim, dua qe ta nxjerr në pah vlerën e tij si iluminist i kohës, patriot dhe mendjendritur. Vepra e tij e pavdekshme duhet të kujtohet çdoherë bashkë me mundin dhe kontributin e rilindësve të tjerë.

BIOGRAFIA

Naum Veqilharxhi – Bredhi u lind me datën 6 dhjetor 1797 në fshatin e Vithkuqit pranë Korçës. Ai i takon një familjeje me tradita në fushën e kulturës në përgjithësi dhe të shqiptarisë në veçanti. Gjyshi i tij Llazar Bredhi, ishte një nga veprimtarët e shquar për futjen e shqipes në kisha dhe shkolla. I ati i Naumit, Panajoti ishte vendosur në ishullin e Itakës, njëri nga 7 ishujt Jonianë, ku ishte martuar me Marien, një vajzë e re vendase, në vitin 1796. Panajoti ishte njeri i oborrit të Ali Pashë Tepelenës në Janinë, tregtar që furnizonte me ushqime ushtrinë angleze kur kjo kishte pushtuar ishujt Jonianë më 1811. Ndoshta kështu shpjegohet që djemtë e tij, Naumi, Theohari dhe Konstandini, kishin nënshtetësi britanike. Ka shumë mundësi që Naumi mësimet e para dhe një pjesë të shkollës së mesme ti ketë kryer në ishujt Jonianë, ku mund të ketë rënë në kontakt me përpjekjet e shqiptarëve për shkrimin e shqipes dhe përdorimin e saj në kisha dhe shkolla.

Meqenëse lufta u largua, Panajoti u zhvendos në Rumani, ku vijonte të shërbente si furnitor në repartet turke që luftonin kundër rusëve (lufta ruso-turke, 1806-1812). Duket se Naumi, në vitin 1811 ose 1812, në moshën 14 ose 15 vjeçar, pas shpërnguljes së të atit në Rumani, ndërpreu gjimnazin grek në Itakë dhe bashkë me pjesën tjetër të familjes, u vendos në Vithkuq. Pas përfundimit të luftës ruso-turke, Panajoti shkoi në qytetin e Galacit (Moldavi), ku filloi të merrej me tregti. Pasi u mëkëmb disi, mblodhi rreth tij familjen, që u largua nga Shqipëria para shkatërrimit ët dytë të Vithkuqit (1819). Në qytetin e Galacit Naumi  përfundoi gjimnazin, që e kishte filluar në Itakë. Pra ai frekuentoi gjatë një ose dy vjetëve gjimnazin grek, duke përvetësuar pjesërisht alfabetin dhe gjuhën greke, dhe i përfundoi studimet e mesme në gjuhën rumune, që në atë kohë shkruhej me alfabet cirilik.

Në vitin 1821 mori pjesë aktive në kryengritjen kundërosmane, si në nga udhëheqësit e saj, së bashku me shumë shqiptarë të tjerë, të cilët shpresonin se pas çlirimit të Rumanisë, do t’i vinte radha edhe atdheut të tyre. Historiani rumun Viktor Papakostea trajton hollësisht dhe me ngrohtësi pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë kryengritje, duke i kushtuar vëmendje të veçantë Veqilharxhit si luftëtar i ndërgjegjshëm dhe udhëheqës i mbi 4000 shqiptarëve. “Lëvizja e eteristëve, – shkruan ai,- e vuri për herë të parë N. Veqilharxhn, udhëheqis e lëvizjes rilindëse të popullit shqiptar, në mes të popujve të tjerë ballkanas të paraqitur në Eteri me shefat e tyre: grekët me Ipsilantin, serbët me Karagjeorgjin, rumunët me Vlademireskun dhe shqiptarët me Naum Bredhi Veqilharxhin.”

Me thyerjen e kryengritjes turqit bënë kërdi dhe u hakmorën veçanërisht mbi shqiptarët. Me qindra koka të prera shqiptarësh u hodhën në trotuaret dhe në rrugët e Bukureshtin. Naum Veqilharxhi mundi të kthehej nga Rumania. Ai shkoi në Austri, ku ndoqi studimet e larta për drejtësi. Në Vjenë hyri në kontakt me bashkësinë e shqiptarëve të atjeshëm, e cila duhet të ketë qenë me peshë dhe përbëhej kryesisht nga tregtarë por edhe nga studentë me prejardhje nga vise të ndryshme të Shqipërisë të cilat u bënë për Naumin burim informacioni mbi gjendjen në Shqipëri.

Në vitin 1824 Naumi kthehet në Rumani dhe vendoset përfundimisht në portin lumor të Brailës, ku ushtroi profesionin e avokatit deri në fund të jetës së tij. Pas asaj periudhe Naumi e pa që ai më nuk mundte të bashkëpunonte me popuj të tjerë kundër P. Osmane por duhej të formulonte një plan se si të kontribuonte në ngritjen e vetëdijes së popullit shqiptar bashkë me atdhetar të tjerë. Andaj Naumi mendoi që për tu larguar nga qëllimet djallëzore të Patrikanës  populli shqiptar duhej të mendontë dhe të shkruante në gjuhën e vet. Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, Ëvetarin. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e ribotoi më 1845 me titullin Fare i ri ëvetar shqip, të shoqëruar me një E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë. Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera, që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një Qarkore (Enciklikë) greqisht drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri dhe po atë vit i dërgoi një letër të gjatë polemizuese një nipi të vet, që u ishte kundërvënë përpjekjeve të tij për çështjen shqiptare. Naum Veqilharxhi vdiq në v. 1846, ku mendohet se u helmua nga Patriarku Ekumenik i Konstantinopojës.

ABETARJA E ABETAREVE

Nga biografia e Naumit kuptojmë se ai nuk kishte ndonjë përgatitje të veçantë linguistike. Ai me profesion ishte avokat por falë intelektit të tij dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm për çështjen shqiptare, Naumi arriti që të krijoj një alfabet krejtësisht të veçantë. Sipas tij pika e ribashkimit të shqiptarëve të ndarë thellësisht në atë periudhë historike, do të ishte gjuha jonë amtare e përbashkët. Ai kishte arritur në përfundim se një popull që është në robëri, që të dalë në liri duhet medoemos që ta lëvrojë gjuhën e tij. Nëse një popull nuk di ta shkruajë gjuhën e tij, pa marrë parasysh se sa i ditur është nuk do të mundet ta lulëzojë kombin e tij por gjatë gjithë jetës do të punojë për lulëzimin e kombeve tjera.

Në Kohën e Veqilharxhit shqipja nuk shkruhej, as lexohej, as mësohej në shkolla. Gjuha shqipe flitej në disa dialekte, ishte mjaft e varfër në terminologjinë shkencore, për pasojë, ishte e mbushur me huazime turke, greke, italiane dhe sllave. Në territorin e Shqipërisë gjatë asaj kohe, shqipja përdorej vetëm ndër popullin në shtëpi, kafene etj., ndërsa osmanishtja ishte gjuhë e administratës. I nxitur nga dashuria për kombin, i përgatitur intelektualisht, Naumi filloi punën e tij fillimisht duke përpiluar një alfabet të veçantë të gjuhës shqipe, duke vijuar pastrimin e gjuhës shqipe nga huazimet, me gramatikën dhe mjetet e tjera shkollore. Qëllimi i tij ishte lëvrimi dhe njësimi i gjuhës shqipe.

Ëvetaret e Naum Veqirhatxhit, njihen si të parat abetare të gjuhës shqipe. Me to merr udhë historia e abetareve në gjuhën tonë amtare, gjithashtu edhe zgjuan vetëdijen e shqiptarëve si komb më vete, si dhe dëshirën për të jetuar në liri. Abetaret e tij ishin lajmëtaret e para të arsimit kombëtar shqiptar dhe nxitën qytetarët e Korçës që të hapin një fushatë ndihmash për të ngritur një tipografi edhe shkolla në mënyre që arsimi të zhvillohej në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Puna e Naumit në lidhje me përpilimin e alfabetit daton qe nga vitet 20’ por nga mungesa e mjeteve materiale ato dolën në dritë 20 vjet pas shkrimit. Ëvetarja (ëve-shkronjë)  nuk do të kishte dalë kurrë në dritë sikur mos të kishin qenë atdhedashësit, shokët e Naumit në Rumani, me theks të veçantë Vangjel Zhapën, njeriun më të pasur në Evropën Lindore asokohe. Në librin “Fjala shqipe” (Tiranë 1961), Skender Petro Luarasi do të shkruan: “Vangjel Zhapa, bashkëpunëtori i Naum Veqilharxhit, e la pasurinë për edukimin e popullit të tij shqiptar, por që Patrikana diti t’ia zhvasë për interesat e saj satanike”.

Ëvetari i vitit 1844 është një libër i rrallë dhe shumë i çmueshëm për historinë e arsimit shqiptar. Ky Ëvetar ka alfabetin e veçantë me 33 shkronja në 8 faqe.

Në faqen e parë është shkruar: “Fort i shkurtër e i përdorshëm ëvetar shqip. Për çdo si cilë qëdo të mpsojnë të kënduarit e të shkruarit bukur shqip”. Ëvetaret e Naumit kishin rëndësi edhe për faktin që në të për here të pare u tentua që gjuha shqipe të pastrohej nga huazimet. Ai jep shembuj të shumta dhe të ndryshme si psh. që në vend të fjalës “pishmanohem” mund të përdorej fjala shqipe “penohem (pendohem)”. Në botimin e vitit 1844 disa kopje u dërguan në Korçë me anë të tregtarëve shqiptarë.

Ëvetari i Veqilharxhit u prit me entuziazëm nga korçarët. Ata i shkruan një letër ku falënderonin Naumin për punën që kishte bërë. Ëvetarja kishte filluar që të mësohej në shkollat e sapoformuara shqipe por numri i abetareve qe i vogël dhe nuk mjaftoi që të merrnin të gjithë, andaj ata e nxitën Naumin që të përpilonte dhe të botonte me paratë e Vangjel Zhapës, Ëvetarin e dytë me titull: “Fare i ri, ëvetar shqip për djelm nismëtarë, nxjerrë e dhënë mbi dritë nga Naum Veqilharxhi, moti i dytë 1845”. Ky Ëvetar kishte 48 fletë me shtesën të një parathënie, që titullohet: “Eparathënme mbi djelmtë e rinj shqiptarë”. Kjo parathënie është njëra ndër veprat ku Naumi i hedh idetë e tij iluministe që shënojnë fillimin e epokës më të lavdishme, atë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ajo përmban edhe thirrjen drejtuar djemve shqiptarë, brezit të ri, “që më pakë kohë të hyjmë mbë radhë të botësë mësuar e të qytetëruar që hem rrëfejmë se dora jonë nuk është e fleçme (e fjetur), si dhe të nderojmë veten tonë”.

Në fundin e gjysmës së parë të shekullit XIX Korça po shndërrohej jo vetëm në një qendër të rëndësishme tregtare dhe zejtare, por edhe në një vatër të nxehtë patriotike. Midis tyre, u dallua sekretari i Mitropolisë, patrioti Athanas Paskali për kontributin në lidhje me përhapjen e ideve të Naumit në Korçë. Për pasojë ai u dënua nga Patrikana dhe u transferua nga Korça për në Durrës. Por zelli dhe dëshira e korçarëve për edukimin e popullit nuk u shter. Ata kërkonin me këmbëngulje futjen e shqipes në kisha dhe shkolla. Arsyeja ishte se shkollat greke ekzistuese kishin për qëllim shfarosjen e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare me qëllim që nëpërmjet fesë ortodokse ta helenizonin popullin shqiptar. Naum Veqilharxhi në Qarkoren e tij do të shkruante se “shkollat greke janë të organizuara për të ndriçuar rininë greke dhe jo për ndriçimin e rinisë shqiptare”. Andaj në mënyrë që të rinjtë shqiptarë të edukoheshin në gjuhën e tyre amtare duhej të ndërtoheshin shkolla shqipe ku edhe Naumi i porositë patriotët korçarë ta bëjnë një gjë të tillë.

Shkollat që duhej të ngriheshin në Shqipëri dhe kudo ku kishte shqiptarë, do të shërbenin gjithashtu si mjet i dorës së parë për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, për emancipimin e popullit dhe propagandimin e ideve patriotike. Patrikana kur pa rrezikun që ju kanosej qëllimeve djallëzore të tyre, përdori si opsion edhe krimin. Ajo ftoi Naum Veqilharxhin që të ishte mysafir në Patrikanë deri “kur të rregulloheshin shkollat në Korçë”. Naumi pranoi, duke e paguar me jetën e tij këtë vendim që morri. Ai u helmua në darkën e parë dhe vdiq. Të nesërmen ia dogjën edhe librat shkollorë me gjithë gramatikën që ishin planifikuar të përdoreshin në shkollat shqipe qo do të ndërtoheshin.

VEPRIMTARIA E NAUM VEQILHARXHIT NË RRAFSHIN POLITIK

Për dallim nga shqiptarët, vendet e tjera në Ballkan e përdorën fenë e tyre si mjet të rëndësishëm në procesin e krijimit të shteteve të tyre. Në shekullin e nacionalizmave ky element mungonte tek shqiptarët nga mungesa e unitetit fetar që jo vetëm nuk e ndihmoi popullin shqiptar për krijimin e një shteti, por edhe i bëri dëm. E them kështu ngaqë këtë pikë të dobët, armiqtë e kombit shqiptar ditën ta shfrytëzojnë. Turqit përmes myslimanizmit nga njëra anë, grekët përmes ortodoksizmit, dhe italianët përmes katolicizmit nga ana tjetër, përpiqeshin me çdo kusht ta zhduknin këtë racë që dallohej nga fqinjët e saj si për nga veshja, nga gjuha, nga sjelljet ashtu edhe për nga historia. Naumi shkruan se gjuha shqipe rezistoi në shekuj vetëm “…falë maleve dhe shpirtit të banorëve të tyre.”

Procesi i ‘shkrirjes’ së popullit shqiptar u tentua të bëhej kryesisht nëpërmjet shkollave. Pas krijimit të shtetit grek dhe forcimit të tij ekonomik, Në Shqipërinë e Jugut filloi një fushatë e dendur për ngritjen e shkollave, që kishte për qëllim përhapjen e gjuhës dhe kulturës greke me qëllim, helenizimin e popullit shqiptar. Sipas disa statistikave vërejmë se nga mesi i shekullit XIX vetëm në vilajetin e Janinës kishte 665 shkolla greke, me rreth 23 mijë nxënës shqiptarë. Naum Veqilharxhi në letrën dërguar nipit të tij, Jani Calit në vitin 1846 tregon qartë se “shkollat greke janë të organizuara për të ndriçuar rininë greke dhe jo për ndriçimin e popullit shqiptar”

Naumi, njohës i mirë i kombit shqiptar, qysh në vitin 1846 e dinte mirë se populli shqiptar, i përbërë nga myslimanë, katolik dhe ortodoks, është një trup homogjen, është esenca, kurse fetë janë veçori të fituara më vonë dhe si të tilla ato janë të ndryshueshme. Në këtë mënyrë ai kishte zbuluar një element specifik të kombit shqiptar, përparësinë e kombit mbi fetë, që qëndron në themel të harmonisë fetare ose të bashkëjetesës shqiptare, një fenomen tipik shqiptar, dëshmues i homogjenizimit të kahershëm dhe kohezionit të brendshëm kombëtar. Harmonia fetare si faktor historik i shqiptarëve, është për t’u vlerësuar si ndër pikat kyçe të programit, meritë kjo pa diskutim e Naumit si ideolog i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, shtytjes vendimtare për arritjen e pavarësisë dhe krijimit të shtetit shqiptar.

Përmes parathënies së Ëvetarit të v. 1845, letrës dërguar nipit të tij dhe Qarkores drejtuar patriotëve korçarë, Naumi porositë të gjithë shqiptarët që të zgjohen dhe të  bashkohen, të  përpiqen sa më shumë përmes ndërtimit të identitet kombëtar, “duke u bërë bujq të mirë të farës së shqiptarizmit”.

Ai tregon se asnjë popull nuk ka arritur të krijohet brenda një dite, menjëherë por duhet shumë mund dhe djersë në mënyrë graduale, dora-dorës të përpiqemi ta formësojmë kombin tonë. Këto ide, si dhe shumë të tjera, të parat në atë periudhë, u bënë mësim vetëdijesimi për brezat e ardhshëm, për rilindësit tjerë që do të vijnë, gjë që e bëjnë Naumin fillues i një historie që nuk do të harrohet kurrë dhe do të mbetet periudha më e lavdishme e kombit shqiptar.

PËRFUNDIM

Për përfundim unë dua të përmend një përgjigje të Naumit që i dha nipit të tij, pasi ky i fundit i shkroi xhaxhait të tij se qe e kotë puna e tij për të bashkuar shqiptarët pasi që ndarja e tyre në tre fe të ndryshme do ta pamundësonte këtë proces, madje e kërcënoi me jetë duke i thënë që do të ishte mirë t’i pranonte këshillat ngaqë ai “kishte informata”. Por Naumi, atdhetar i madh, në vend që të frikësohej dhe ta linte këtë dëshirë duke shkuar për të jetuar i qetë diku në Evropë, i dha një leksion të mirë nipit të tij grekoman por dhe gjithë shqiptarëve se “nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun ta mohojë kombin e vet”. Ai me të vërtetë gjeti vdekjen por la pas një thesar të madh dhe një energji duke treguar se si duhet të mbrohet atdheu qoftë ajo edhe me gjak.

Shkup, 2019