Dostoevsky shkruan në vitin 1879 për të ardhmen. Sa është reale kjo në 2019-tën?

    “Thuhet se bota, gjithnjë e më shumë, po bashkohet në një komunikim vëllazëror, shkurtohen distancat, mendimet transmetohen në ajër… Medet, mos i besoni një bashkimi të tillë të njerëzve. Duke e kuptuar lirinë si shumimin dhe kënaqjen e dëshirave të tyre, njerëzit shtrembërojnë natyrën e vet, sepse nxisin brenda vetes gjithfarë dëshirash, vesesh dhe tekash të tepërta e të kota. Ata bëhen ziliqarë të papërmbajtur ndaj njëri-tjetrit, epshorë dhe të pangopur. Bëhen të domosdoshme për ta gostitë, udhëtimet, pajtonet luksozë, shërbetorët-skllevër; për të kënaqur këto dëshira ata sakrifikojnë jetën e tyre, nderin dhe dashurinë njerëzore-madje arrijnë deri në vetëvrasje. Ky synim vihet re edhe tek të varfërit, por ata, hë për hë, i mbysin këto dëshira në gotën e alkoolit. Së shpejti, në vend të verës do të pinë gjak -kjo rrugë atje i çon.

Do t’ju bëj një pyetje, a mund të jetë i lirë një njeri i tillë? Kam njohur një “luftëtar të idesë”, i cili më ka treguar vetë se kur ia hoqën duhanin në burg, ai u ndje aq keq saqë, edhe për pak, ishte gati të tradhtonte “idenë” për ndonjë cigare. Dhe ai thotë: “po shkoj të luftoj për njerëzimin”. Po ku mund të shkojë ai dhe çfarë është i aftë të bëjë? Një i tillë mund të bëjë ndonjë veprim shpejt e shpejt, por nuk do të durojë gjatë. Nuk është çudi, që në vend të lirisë ata kanë rënë në robëri, në vend që t’i shërbenin bashkimit vëllazëror të njerëzimit, ata fituan ndarjen dhe vetminë, siç më thoshte atëherë mysafiri misterioz dhe mësuesi im. Për këtë arsye, gjithnjë e më shumë, po shuhet ideja për t’i shërbyer njerëzimit, për vëllazerimin dhe bashkimin e njerëzve-kjo ide tani pritet me nënqeshje ironike, sepse nuk është kollaj të heqësh dorë nga zakonet, ku do të shkojë njeriu-skllav  nëse është mësuar t’i kënaqë gjithë dëshirat e veta? Sigurisht do të parapëlqejë veçimin-ç’punë ka ai me të tërën? Dhe ia kanë arritur të grumbullojnë plaçka shumë dhe gëzim fare pak.”

Fyodor Dostoevsky – “Vëllezërit Karamazov” (1879-80) – Përkthyer nga Xhemile Zykaj