Bursa, Shkollim Profesional Dhe Punësim Të Garantuar, Ja Pse Shkolla E Mesme EMUC “8-Shtatori” Është Shkolla Profesionale Më Atraktive Për Ardhmërinë Tuaj!

Më datën 16 dhe 17 qershor në Maqedoninë e Veriut do të jetë regjistrimi i  nxënësve në shkollat e mesme. Portali Schoolture.info, ka realizuar një intervistë me drejtorin e shkollës së mesme “EMUC 8 Shtatori”, Kenan Asani, i cili flet për përparësitë që i ofron kjo shkollë. Ndër mundësitë e shumtë që ofron kjo shkollë, është edhe ajo për të cilën pothuajse të gjithë kemi nevojë: Punësim pas mbarimit të shkollimit. Po ashtu ofrohen bursa për nxënësit e shkëlqyeshëm dhe shumë të mirë, ndërsa për të gjithë vajzat që do të regjistrohen ka bursa pa dallim suksesin.

Schoolture: Drejtor, u bënë gati dy vite që kur keni marrë përsipër menaxhimin e shkollës së mesme “8 Shtatori”, si e gjetët atë?

Kenan Asani: Një shkollë buzë greminës. Numër i reduktuar i nxënësve, prej 900 në 90 dhe prej 7 objekteve funksionale, shkolla funksiononte në 3 objekte. Regjistrimi për vitin shkollor 2017/2018 ishte kulmi i mjerimit në të cilin me vite ishte thelluar shkolla jonë. Gjithsej u regjistruan 14 nxënës, prej të cilëve 11 në paralelet shqipe dhe 3 në paralelet maqedonase.

Objekte të vjetruara, disa të rrënuara, inventor shkollor në gjendje të papërdorshme. Punëtori, klasa, salla e sportit, zyre, gjitha këto pa nxehje qëndrore. Sistem i shkatërruar i kanalizimit, oborr i lënë në mëshirën e fatit. Një shkollë me hapësirë prej 10.000m2 askund nuk kishte mbishkrim të saj gjë e cila bënte në të shumtën e rasteve që palët që interesoheshin për shkollën tonë të mos mund të gjindeshin. Rrjeti i kanalizimit ishte totalisht jofunksional. Oborri i pushtuar nga drunj të tharrë dhe shkurre të pa rregulluara, me një fjalë “një kaos total”.

Kuadri arsimor në atë periudhë ishte totalisht i pa orientuar, nxënësit shquheshin me mesataren më të ulët në suaza të shtetit tonë dhe e tërë kjo si pasojë e menaxhimit shumë të dobët me shkollën në 12 vitet e fundit edhe atë në të gjitha fushat  e saja si: procesin arsimor, resurset njerëzore, materijale dhe ekonomike si dhe bashkëpunim tepër i dobët me institucionet e larta arsimore si: Ministrine e Arsimit dhe Shkencës, Qytetin e Shkupit, Qendrën Shtetërore të Provimeve etj.

Cilat janë sukseset tuaja gjatë periudhës që jeni duke menaxhuar me shkollën?

Kenan Asani: Që nga ndërrimi i stafit menaxhues të shkollës sonë në muajin Tetor të vitit 2018 deri më sot kemi arritur me sukses që me intervenime te vazhdueshme të përmirësojmë shumë gjëra, ndër to veçojmë:

  1. Rikthimi i emrit dhe brendit “EMUC”, emri me të cilin njihej shkolla jonë,
  2. Rregullimi i oborrit të shkollës (pastrimi dhe rregullimi i drunjëve si dhe pastrimi i shkurreve dhe mbeturinave të mbledhura me vite)
  3. Renovimi i punëtorisë së makinerisë me dritare dhe fasadë të re,
  4. Çbllokimi dhe pastrimi i rrjetit të kanalizimit dhe ollukëve,
  5. Betonimi dhe rimbushja e gropave me asfallt në oborrin e shkollës,
  6. Vendosja e një sistemi të ri të video survejimit që drejtohet nga një qendër,
  7. Lyerja e klasave, zyreve dhe korridoreve të shkollës,
  8. Vendosja e sistemit të nxemjes qëndore në ato hapsira ku nuk ka egzistuar,
  9. Renovimi i dy sallave te sportit dhe fitnesit së bashku me zhveshtoret dhe zyret e tyre,
  10. Vendosja e mbishkrimeve në objektet e shkollës si dhe në oborrin e tij,
  11. Organizimi i panairit të parë të makinerisë
  12. Stipendim i nxënësve dhe punësimi i tyre i garantuar pas përfundimit të shkollës,
  13. Vendosja pa pagesë në internatin që ndodhet në oborrin tonë,
  14. Udhëtim pa pagesë në çdo vikend të dytë për nxënësit që vijnë prej vendeve të largëta,
  15. Renovim dhe blerje e mobiljeve të reja për të gjitha objektet dhe hapsirat,
  16. Prezentime nëpër shumë media të shkruara dhe elektronike, si dhe portale,
  17. Bashkëpunim me institucione shtetërore, lokale dhe organizata (ministri të ndryshme, komuna, kompani dhe organizata joqeveritare).

Schoolture: Ju përmendët më herët se keni rikthyer emrin e vjetër të shkollës, “EMUC”. Përse ky veprim?

Kenan Asani: EMUC-i ose e shqipëruar Qendra Shkollore Elektro-Makinerike është një nga institucionet më të rëndësishme shkollore që pas Luftës së Dytë Botërore, institucion ky që me profilet e saja profesionale ka përgatitur dhe aftësuar me dhjetra mijëra kuadro profesionale që kanë qenë bartës së punës dhe suksesit të industrive të ndryshme jo vetëm në Maqedoninë e atëhershme por edhe në gjithë Jugosllavinë. EMUC-i ishte qendër e madhe e dijeve teknike dhe profesionale ku kaliteshin mjeshtër dhe operatorë teknik të profileve të ndryshme. Mirëpo fatkeqësisht pas pavarësisë së Maqedonisë, rrethanat e reja te krijuara, mbyllja e disa fabrikave, reduktimi i prodhimit në industri të ndryshme,  tranzicioni ekonomik dhe shoqëror ndikuan fuqishëm edhe në fushën e arsimimit, posaçërisht në atë teknik dhe profesional, duke ndikuar në zvogëlim drastik të interesimit të nxënësve për të ndjekur mësimin në shkollat e mesme teknike. Nder të gjitha këto shkolla të mesme teknike, shkolla jonë, si qendra më e madhe e arsimimit teknik dhe profesional, pësoi shumë. Mirëpo vitet e fundit, me rritjen e investimeve të huaja në vendin tonë, solli deri te rritja e prodhimtarisë dhe nevoja për kuadro të reja. Andaj ne si staf i shkollës jemi duke bërë përpjekje maksimale për të ringritur këtë qendër të dijes, për ti kthyer famën që ka gëzuar, duke përmirësuar maksimalisht kushtet dhe programet mësimore, mënyrë e vetme kjo për të nxitur të rinjtë që të strehohen në këtë vatër të dijes dhe mjeshtërive që nesër shumë lehtë gjejnë punë.

Schoolture: Çfarë profile arsimore ofron shkolla juaj për nxënësit? Na flisni pak për to dhe perspektivat që ato hapin!

Kenan Asani: Padyshim se shkolla jonë punon dhe do të punojë që çdoherë të ofrojë profile arsimore dhe progame mesimore bashkëkohore, të përpiluara në përputhje me kërkesat dhe nevojat e kohës dhe çdoherë duke ndjekur arritjet më të reja teknologjike. Shkolla jonë varësisht prej kohezgjatjes së shkollimit, ofron profile arsimore 4 vjeçare dhe 3 vjeçare. Si profile arsimore 4 vjeçare janë:

  1. Teknik i makinerisë
  2. Teknik për udhëheqje kompjuterike
  3. Teknik i makinerisë energjetike
  4. Teknik i makinerisë për automjete motorike

Dhe profilet 3 vjeçare:

  1. Instalues i linjave gypore
  2. Instalues i nxemjes dhe klimatizimit
  3. Përpunues i metalit
  4. Saldues

Siç e shihni, ofrojmë një laramani profilesh interesante që padyshim i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës, profile këto që padyshim nesër do të ju sigurojnë vende pune të rinjëve tanë nëpër fabrika dhe kompani të ndryshme shtetërore dhe private. Të theksojmë se prapa këtyre profileve arsimore qëndron edhe një staf i mësimdhënësve të përgatitur profesionalisht dhe të motivuar për të realizuar në maksimum programet mësimore.

Scoolture: Për në fund, cili do të ishte mesazhi juaj për nxënësit dhe prindërit?

Kenan AsaniUnë shfrytëzoj këtë rast që së pari të ju drejtohem prindërve, me apel që të jenë sa më praktik dhe arsyeshëm në procesin e zgjedhjes së profesionit për fëmijët e tyre. Padyshim, së pari ajo të bëhet në marrëveshje me fëmiun, duke iu përshtatur preferencave dhe prirjeve të tyre dhe e dyta jo më pak e rëndësishme është që në këtë proces të zgjedhjes të mirët parasysh edhe perspektiva që ofron ai profesion.  E treta dhe e fundit, pa modesti do ta them që edhe nësë kanë dilema, pa asnjë hezitim të drejtohen në shkollën tonë, pasi që me profilet e ndryshme arsimore, mund të japim zgjidhje për preferencat e tyre.

Suksese te gjithëve!

Përgaditi: Schoolture.info