BALLKANI-VRIMA E ZEZË NË UNIVERSIN E GJENIVE!

Shkruan Dhurata Alija

“Gjithkush lind si një gjeni, por procesi i jetesës i degjenializon ata.” – Buckminster Fuller

Çdo mëngjes që na largon me forcë nga shtrati, na shpie edhe në vendbanime të ndryshme. E vërtetë është! Shpesh ndodh të ndërrojmë vendbanimin tonë. Ndonjëherë jetojmë në qytetin “vitet e hershme të jetës”, ku dalim në natyrë dhe ikim nga qeni e jo nga vetja apo në qytetin “çfarë do të ndodhte nëse…”. Po po, na pëlqen të jemi në çdo vend; çdo vend pos qytetit të së tashmes. Këto, në fakt, ishin fjalët e mia kur një shok nga shtetet e perëndimit, më pyeti rreth asaj se pse është rritur aq shumë numri i emigruesve të rinjë nga vendet e Ballkanit, vende këto që mbase mund t’i shoqëroj me çdo fjalë pos fjalës “shtet”. Nuk e kishte të qartë në fillim se ç’kishte lidhje kjo me pyetjen e tij. Epo, më kishte pyetur përse ishte rritur aq shumë përqindja e emigruesve dhe unë mendoj se isha më e qartë se kurrë.

Kur e tashmja ta shpif, është pothuajse e pamundur të qëndrojmë në shtëpitë tona apo në rrjedhat e kohës. Ose do të ikim nga kjo copë ferri, ose do të zhytemi në oqeanin misterioz të iluzioneve tona (së fundmi, në njëfarë mënyre duhet të mbijetojmë apo jo?). Në të vërtetë, e tashmja është neutrale. Është ajo që ne jemi. Atëherë, çfarë jemi ne? Apo më saktë, çfarë ishim para se të jemi kështu si jemi? Përgjigjja ime është – gjeni.
Veçse shoh ca të qeshura me të lexuar këtë përgjigje (por nëse pandehni rreth kësaj çështjeje, në fakt, do të qani!). Apo, mos vallë, supozoni që kam keqkuptuar definicionin e termit “gjeni”. Jo! Nuk jam unë, jeni ju ata që e keni keqkuptuar. Gjeni nuk do të thotë vetëm njeri që e kupton mësimin e matematikës para se profesori ta sqarojë atë. Në fakt, definicioni i termit gjeni është person me aftësi të jashtëzakonshme në një fushë të caktuar të aktivitetit. Dhe çdo person që ka thithur ajrin e këtij planeti, ka një aftësi të jashtëzakonshme për diçka, aftësi kjo që nuk haset tek askush tjetër në planet. Gjeni është edhe bujku. Gjeni është edhe bukëpjekësi i lagjes, sepse nuk ekziston një tjetër që mund t’i zëvendësojë ata në punën që bëjnë (mbase ka të ngjashëm, edhe atë shumë, mirëpo asnjëherë mënyrë plotësisht e njëjtë e të punuarit).

E nëse na qenka kështu, atëherë pse kjo situatë aktuale në vend? Nëse secili është gjeni në lëmën e vet, a nuk duhet që edhe Ballkani të jetë ajka e evolucionit njerëzor? Ku qëndron problemi? Problemi qëndron ose tek ajo se sa është i vetëdijshëm ai person për këtë aftësi ose tek ajo se ky person veçmë është i vetëdijshëm për aftësinë e tij, por nuk i vlerësohet ky gjenialitet. Nëse ky univers funksionon sipas rregullit shkak-pasojë, atëherë me shumë gjasa këto probleme janë pasoja që rrjedhin nga fabrika e degjenializimit. Në atë fabrikë, nuk punon gjë tjetër pos një makine, me sa e kujtoj e quajnë mësues. Detyra e tij është që koleksionin e shumëngjyrshëm të gjenive, ta kalojë nëpërmjet disa filtrave, derisa të zhvishen nga çdo tipar i tyre e në fund t’i shëmbëllejnë njëri-tjetrit duke mos pasur vlerë më shumë se një sheqerkë e shitores në fund të rrugës.

Duke pasur parasysh që në këtë regjim diktatorial të maskuar si demokraci, mbijeton vetëm ai që është në fron (edhe atë vetëm mbijetesë në aspektin fizik), pothuajse të gjithë këta ish-gjeni turren për t’u ulur në majë, duke harruar që rrethi mbase mundohet të hyjë në vendin e katrorit, por gjithmonë do të ketë zbrazëtira – dhe natyra asnjëherë nuk i lejon zbrazëtirat! Meqë froni i qeverisjes së një shteti nuk është mjet i transportit publik, shumica përfundojnë të dehur apo të dëshpëruar, e sidomos të detyruar të punojnë një punë që aq shumë e urrejnë, punë për të cilën asnjëherë nuk ishin të destinuar.

A thua vallë, nëse këta gjeni do të ishin edukuar me një sistem edukimi që ka parasysh skajshmërisht idenë e Platonit rreth edukimit të të rinjve apo atë sistem edukativo-arsimor të vendeve skandinave, çfarë do të kishim nxjerrë në pah? Për gjeneratat e tjera nuk mund t’ju them shumëçka, por po ju tregoj çfarë do të kishit nxjerrë nga gjenerata ime: astronomë me entuziazëm të pashuar, fizikantë me teori po aq karakteristike sa “String Theory”, piktorë fare më të çmendur se Salvador Dali, muzikantë po aq të talentuar sa vetë Zimmer, shkrimtarë po aq unikë sa edhe vetë Dostoevsky, e shumë të tjerë që në mos krijues të lojës, janë asistentë të përkryer të krijuesve të lojës.

Këto nuk po i sajoj, por i kam konstatuar kur shoku i klasës me aq pasion i komentonte idetë e Elon Musk-ut rreth kolonizimit të planetit Mars apo kur lexoja poezitë e shoqës sime, vargjet e së cilës ishin ndrydhur në fletat e shtypura nga çanta e saj e makijazhit. I kam konstatuar kur ai djalë i cili gjatë ditës ecte me xhinset zvarrë që të duket sa më “cool”, në mes të natës kishte komentuar muzikën e Chopenit në YouTube. Them “do të kishit nxjerrë”, sepse kur i deformuat ju, i riformoi djalli. Tani shumica prej tyre enden nëpër bare të natës, duke notuar në pishinat e alkoolit. Ka edhe nga ata e ato që kanë arritur në të tridhjetat e tyre, por ende brengosen se a do ta fitojë bastin në lojërat e fatit apo si ta rregullojnë dhomën në mënyrë që ta marrë lakmi bashkëshortja e fqiut. Dhe më e keqja, ai dhe ajo, dhe shumë të tjerë si këta, kanë më së paku dy fëmijë. Por , kujt vallë do t’i bëhet vonë? Askujt! Mbase iu bë vonë gjenive, të cilët sadopak i kishin ikur filtrave të makinës së fabrikës, por ama kur i ikën makinës, i ikën edhe shtëpisë.

E pastaj, Ballkani të mos lotojë, kur do të kuptojë se guralecat që i mbante në dorë, në fakt ishin diamantë. Tani ato diamantë po ua merr Europa dhe Amerika, për të mos ua kthyer kurrë.

Burimi: http://inmediasres.flf.ukim.edu.mk/
Foto: Robert Rauschenberg