7 Marsi – Dita e Mësuesit, datë historike për arsimin

Sot, më 7 Mars 2019, mbushen 132 vjet nga dita e themelimit te Mësonjtores së Parë Shqipe të Korçës, me të cilën u shënua një kthesë thelbësore në historinë e popullit shqiptar e veçanërisht në historinë e Rilindjës Kombëtare Shqiptare. Së këndejmi, kjo datë përfaqëson një ngjarje të rëndësishme politike e kulturore në historinë e arsimit kombëtar shqiptar.

Shkolla e parë shqipe fillore kombëtare, ku mësimet mbaheshin në gjuhën shqipe, u themelua në kushtet e pushtimit osman, në Korçë më 7 Mars të vitit 1887.

Shkolla e parë shqipe u hap me inciativën e një grupi rilindasish dhe me përkrahjen e masave patriotike nga Korça, si dhe atyre të mërgimit.

Atëherë drejtor e mësues i parë i shkollës shqipe në Korçë ishte rilindësi e patrioti Pandeli Sotiri.

Ai ishte një patriot i madh, i cili me vizionin e tij njerëzor e kombëtar bëri që pashkëputshëm qe 113 vjet të përhapet drita e arsimit dhe ngjallja kulturore e kombëtare e popullit shqiptar. Shkolla e parë shqipe konsiderohet një institucion kombëtar, si nga përmbajtja, po ashtu edhe nga forma, ngase ishte shkolla e parë shqipe laike për nxënës të të gjitha besimeve, gjinive dhe shtresave popullore dhe demokratike ku mësimi jepej falas. Si e tillë, ajo shkollë u kthye në një vatër të edukimit të vetëdijes kombëtare, sepse këtu mbizotronte parimi i kombëtares mbi ndasitë fetare.

Si për nga përmbajtja, struktura dhe plani mësimore, shkolla në fjalë kishte fizionominë e një shkolle të përparuar, e cila shërbeu si penë (model) për shkollat e ngritura më vonë.

Në atë shkollë jepeshin lëndët: shkrim-këndim, gjuhë shqipe, gramatikë shqipe, histori e Shqipërisë, gjeografi, aritmetikë, dituri natyre, edukatë muzike, etj.

Përmbajtja e kësaj shkolle përshkohej nga fryma patriotike, e cila mbrohej nga lëvizja që kishte ngjallur Rilindja jonë kombëtare nga edukata e punës dhe dashuria për dije. Realisht Korça për këtë arsye në historinë kombëtare zë një vend të madh dhe të pakrahasueshëm me qytetet tjera, sepse ishte e para në këtë drejtim.

Pos Pandeli Sotirit, drejtues të shkollës shqipe të Korçës, kanë qenë edhe disa personalitete të shquara të kulturës e të arsimit tonë të asaj kohe, si Petro Nini Luarasi , Nuçi Naçi, etj.

Në fillim të viteve ’80-ta të shekullit të XIX-të, patrioti Petro Nini Luarasi, në Shqipërinë jugore hapi pesë shkolla shqipe, por qeveria turke i mbylli. Kontribut të çmueshëm në hapjen e shkollës së parë shqipe të Korçës dhanë edhe Naim e Sami Frashëri.

Në vitin 1890 në këtë qytet u hap e para shkollë fillore shqipe për vajza. Si tekste shkolle të para u përdoren ato të Naim Frashërit, Sami Frashërit, Jani Vretos dhe shënime të përgatitura sipas nevojës nga vetë mësuesit e shkollës.

Mësonjtorja e parë shqipe veproi 15 vjet, sepse më 1902 u mbyll mizorisht nga pushtuesit, por me vonë sërish u rihap. Shumica e atyre që mbaruan këtë shkollë u bën një repart pararoje për quarjen përpara të arsimit kombëtar dhe për edukimin e ndjenjës patriotike në masat e gjera të popullit.

Pavarësisht çka u tha gjer më tani, flakadani i vetëdijes, i dijës dhe i arsimit shqip është ndezur shumë më herët, si p. sh. “Formula e Pagëzimit” (1462), shkruar nga Pal Engjëlli, Historia e Gjergj Kastiotit – Skënderbeut (1480) nga Anonimi Tivaras, Historia e Skënderbeut 1508-1510 shkruar nga Marin Barleti, etj. “Meshari” i Gjon Buzukut i vitit 1555, “Pasqyra e të Rrëfyerit”, i vitit 1621 nga Pjetër Budi, kurse më 1632 u hap shkolla shqipe në Kurbin, afër Krujës, më 1638 në fshatin Pdhanë (në Mat) më 1639, në Blinishtë (Zadrime) më 1671, në Janjevë (Kosovë) më 1692, në Valje (Mirditë) më 1699, në Shkodër, 1699.

Më 1635 Frang Bardhi botoi veprën “Fjalori latinisht-shqip”, kurse Andrea Bogdani botoi tekstin “Gramatika Latinisht-shqip”, etj.

Këtu duhet t’i përmedim edhe ideologët e Rilindjes Kombëtare: Naum Veqilharxhin, Zef Jubanin, Jeronim de Radën, Elena Gjikën, Konstantin  Kristoforidhin, Koto Hoxhin, vëllezërit Frashëri, Abdylin, Naimin e Samiun, etj.

Ndërkaq, kundër shkollës shqipe në fund të shekullit të XIX-të dhe në fillim të shekullit të XX-të ishin ngritur qarqet shoveniste serbo- malazeze, maqedone, kisha greke dhe rrethet shoviniste bullgare, turke, etj. Edhe pse qeveria turke i mbylli shkollat shqipe, mësimi i gjuhës shqipe nuk u ndërpre. Nëpër krahina të ndryshme të Shqipërisë u hapën shkolla të reja ilegale shqipe. Në Kosovë shkollat shqipe punuan në Stubëll të Vitisë, në Janjevë, në Pejë, në Prishtinë, në Prizeren, etj. Ndër personalitetet më të dalluara në përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në Kosovë ishin Hys Popova, Atë Shtjefën Gjeçovi, Hasan Prishtina, Sali Gjuka, Bedri Pejani, Nazim Gafurri, Luigj Gurakuqi, etj. Ndërsa, qeveria turke e legalizoi shkollën shqipe tek pas revolucionit Xhonturk në vitin 1908. Ndërkaq, duke bërë fjalë për shkollën shqipe të Korçës, pedagogu i shquar kosovar Prof. Dr. Hajrullah Koliqi, i hodhi një vështrim kronologjik historikut të shkollës shqipe që nga themelimi e deri më sot.Ai ndër të tjera ka theksuar se duhet t’i përkujtojmë të gjithë ata arsimtarë, veprimtarë të shquar kombëtarë, të cilët në zjarrin e shumë luftërave i vunë themelet e sistemit unik të arsimit gjithëkombëtar, si dhe tërë ato gjenerata mësuesish, të cilët përkundër inkuzicionit e dhunës serbosllave vazhduan të punojnë edhe më me ngulm në frymën e idaleve të Naimit e porosisë së madhe të tij. Deri më 12 qershor të vitit 1999 forcat e errëta serbosllave donin të ndalnin dritën e dijes e të dritës, të cilën e ka çdo popull, çdo religjion, sepse dija e shkenca janë të shenjta, derisa ata shqiptarëve ua ndaluan këtë dritë me metoda më çnjerëzore.

Për ta mbajtur gjallë shkollën shqipe, arsimtarët e popullit tonë kanë bërë sakrifica të mëdha. Prandaj, në këto kushte, duke nisur që nga Korça lindi dhe lëshoi shtat sistemi kombëtar edukativo-arsimor.

Së këndejmi, rruga e shkronjave, e nisur dhe e larë me gjak nga mësuesit, studentët e nxënësit shqiptarë, triumfoi edhe pse kaloi netë të tmerrshme barbare të bizantinizmit serbomadh apo më mirë të themi se shkollat shqipe si kandila të pa shuar çanë natën e errët pushtuese dhe treguan me dritën e vet se megjithatë agimi i lirisë erdhi pashmangshëm dhe paraqet hapin më të sigurt drejt pavarësimit të plotë të arsimit në të gjitha viset shqiptare, si dhe në territorin e Kosovës etnografike shqiptare të martirizuar.

Arsimtarët u ballafaquan me terrorin e pushtueseve të ndryshëm. Vetëm në kohën e marsit e majit 1990, Serbosllavia hodhi helm në shkollat tona dhe helmoi mbi 7000 nxënës e mësues, me qëllim që të pengonte shtimin natyror dhe të shkatrronte ardhmërinë e më se 7000 familjeve të ardhshme shqiptare. Në vitin 1991 u shpallën të mbyllura të gjitha shkollat dhe fakultetet shqiptare, prandaj si pasojë e kësaj, ndodhi angazhimi i mësuesve të martirizuar në protesta për pavarësinë e shkollës shqipe në Kosovë.

Kështu, deri më 12 qershor të vitit 1999, arsimi i Kosovës vepronte nën një trysni dhe terror të rëndë, ngase Serbia bënte përpjekje për ta ndalur edhe gëzimin e fëmijëve, sepse hareja ishte tretur që moti, kur policia serbe shkollat e fakultetet nga nxënësit, përkatësisht studentët shqiptar, vlen së paku për një çast t’i lëmë represionet, arresimet, burgosjet, bastisjet, plagosjet, vrasjet, skamjen, etj., që ta improvizojmë një natë të qetë, një natë pa ankthe, të cilën shqiptarët nuk e patën kurrë deri më 12 qershor të vitit 1999. Andaj, si deri më 12 qershor 1999 e si para 130 viteve, kërkesat e mësuesëve shqiptarë do të sublimohen në shumë pikëtakime, p.sh. atëherë bëhej luftë për të hapur shkolla shqipe, kurse deri më 12 qershor 1999 për ta mbrojtur të hapur shkollën shqipe. Atëherë vëllezërit korçarë lironin shtëpitë e tyre për të shërbyer si shkollë voglushëve e deri më 12 qershor 1999, qindra shtëpi e Kosovës kanë qenë të shndërruara në shkolla.

Atëherë, mësuesi Pandeli Sotiri, bie viktimë e shovinizimit grek, kurse deri në gjysmën e vitit 1999, nxënësit, studentët, mësuesit e prindërit në Kosovë bien viktima të shovenizmit serb.

Së kendejmi, 7 Marsi është ditë e shënuar në historinë e arsimit të popullit tonë, ditë kjo që ka hyrë në kujtesën historike të mësuesve shqiptarë, si njëri nga fundamentet e qenies sonë kombëtare.

Kjo datë historike, prandaj funksionon në vetëdijën e mësuesve tonë kombëtarë e civilizues dhe sigurisht do të funskionojë edhe në kohët e ardhshme. Populli shqiptar kudo që jeton gjithëherë ishte dhe është i vetëdijshëm për vlerat edukative-arsimore të kësaj date. Fryma liridashëse dhe demokratike e kësaj date e bënë më madhështore, më aktuale dhe më bashkëkohore Ditën e Mësuesit.

Rëndësia historike e 7 Marsit është dhe mbetet burim për frymëzimin edukativo- arsimor të rinisë dhe të tërë popullit në përgjithësi, gjeneratë pas gjenerate, për të çliruar atdheun nga pushtuesit e huaj.